Ndarja e mandateve, Cakolli: Me të dhënat aktuale, skenari më i mundshëm mbetet 57-22-15-6
Teksa procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, mundësitë për ndryshime në konfigurimin e mandateve në Kuvendin e Kosovës janë minimizuar ndjeshëm. Sipas një analize të fundit nga Eugen Cakolli i Institutit Demokratik të Kosoves, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të mbajë mandatin e saj të 15-të, duke lënë Lëvizjen Vetëvendosje me 57 mandate.
Sipas analizës së Cakollit, e vetmja garë e hapur matematikisht është ajo mes mandatit të 15-të të LDK-së dhe mandatit potencial të 58-të të LVV-së. Megjithatë, të dhënat e fundit, sipas tij, favorizojnë LDK-në.
“I vetmi mandat që mbetet matematikisht në garë është ai i 15-të i LDK-së, përballë mandatit potencial të 58-të të LVV-së. Të gjitha mandatet e tjera janë praktikisht të mbyllura. Megjithatë, kutitë e fundit të numëruara, LVV ka shënuar një rënie të lehtë prej rreth 0.6 pikë përqindje, ndërsa LDK ka shënuar një rritje pothuajse të njëjtë. Si rezultat, aktualisht koeficienti i 15-të i LDK-së është 8,378, ndërsa koeficienti i 58-të i LVV-së është 8,329 — pra, LDK është rreth 50 pikë përpara.” – ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, nëse trendi aktual i votimit me postë vazhdon (rreth 73% për LVV dhe 10% për LDK), rezultati përfundimtar nuk do të ndryshojë ndarjen e mandateve. Për të përmbysur këtë rezultat dhe që LVV të fitojë mandatin e 58-të, Cakolli shpjegon se do të nevojitej një devijim ekstrem nga trendi i deritanishëm.