Ndarja e investimeve kapitale, Hyseni: Qeveria Kurti ka trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha komunat
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka folur në lidhje me favorizimin e Qeverisë ndaj komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket ndarjes buxhetore për investime kapitale.
Hyseni ka thënë se qeveria Kurti ka trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha komunat dhe se nuk ka pas as një anashkalim të as një komune sa i përket investimeve.
“Unë besoj që duhet që të shihni edhe projekte të cilat janë përkrah nga institucionet e nivelit qendror, ndërkohë do të duhet që të vlerësohet edhe puna e komunës që e kemi bërë. Për dy vite qeverisje kemi arritur që të paguajmë diku rreth 10 milion euro borxhe nga e kaluara, prej të cilave mbi 1 milion euro janë taksa edhe obligime të tjera shtesë që rrjedhin nga grumbullimi i borxheve. Nëse krahasohen të dhënat që i kemi nxjerr në publik nga të hyrat vetanake të komunave kemi arritur që në vitin 2022 për 600 mijë euro të tejkalojmë planifikim e të hyrave vetanake, ndërkohë në vitin 2023 është gati 1 milion euro. Pra puna që bëhet, serioziteti që tregohet dhe kërkesat që i kemi si komunë, janë edhe të arsyeshme por janë edhe një lloj vetë kontributi i komunës edhe financiarisht edhe në këtë formë ne nuk e ngarkojmë vetëm buxhetin e Kosovës.” – ka thënë Hyseni.
Ndër të tjera ai ka thënë se, Gjilani dhe Anamorava në përgjithësi kanë qenë të anashkaluar nga investimet nga niveli qendror dhe se kjo sipas tij nuk po ndodh me Qeverinë Kurti.
“E krejt e fundit ndoshta edhe për nga rëndësia është që komuna e Gjilanit edhe Anamorave, kanë qenë zakonisht për të mos thënë gjithmonë të anashkaluar nga investimet, përderisa gjitha rajonet janë bërë tashmë me rrugë magjistrale, me autostrada, me projekte milionëshe, Gjilani edhe Anamorava janë të fundit që po e gëzojnë këtë të drejtë, pra po vihet një drejtësi përfundimisht për qytetarët e Gjilanit një çerek shekull pas përfundimit të luftës.” – ka thënë ai ndër të tjera për Ekonomia Online.