Ndarja e 360 mijë eurove për Listën Serbe, Ramadani: I bie që Kosova po i financon ata që ndërlidhen me sulme terroriste
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, ka vazhduar kritikat ndaj KQZ-së për ndarjen e mjeteve që ka bërë për Listën Serbe.
Ai ka bërë me dije se ndarja e 360 mijë eurove për Listën Serbe ka vendosur në pikëpyetje integritetin e institucioneve në përgjithësi, kurse të KQZ-së në veçanti.
“Edhe pas sulmit në Banjskë, Lista Serbe merr para nga shteti i Kosovës. ntegriteti i institucioneve në përgjithësi dhe i KQZ-së në veçanti është në pikëpyetje serioze! Nëse Lista Serbe nuk ka asnjëlloj lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, atëherë institucionet shtetërore, përfshirë Presidenten dhe Kryeministrin, duhet të qartësojnë këtë në publik. Dhe, rrjedhimisht, të mbrojnë ndarjen e 360 mijë eurove për Listën Serbe”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, vendimi për t`i dhënë para Listës Serbe do t`i sjell pasoja shtetit të Kosovës.
“Nëse Lista Serbe në çfarëdo mënyre (që unë besoj se po!) është ndërlidhur me sulmin terrorist në Banjskë, atëherë integriteti i shtetit të Kosovës është përtokë. Pra, i bie që shteti i Kosovës po i financon ata që ndërlidhen me sulme terroriste pikërisht kundër shtetit të Kosovës. Mos harroni, vendimi për t’i dhënë para të popullit të Kosovës Listës Serbe do të ketë pasoja serioze në çfarëdo që institucionet e Kosovës kanë deklaruar rreth Banjskës!”, ka shkruar Ramadani.