Nagavci: Pupovci ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se zëvendësministri i kësaj ministrie, Dukagjin Pupovci, ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen e paralajmëruar.
Ajo ka thënë se me kohë është njoftuar se ai do të largohet nga kjo pozitë.
Sipas Nagavcit, Pupovci dorëheqjen e ka paralajmëruar për shkaqe personale.
“Ka treguar që për arsye personale shëndetësore ka kërkuar që me qenë në pozitë deri në fund të këtij viti….Dorëheqje nuk ka dorëzuar”, ka thënë ajo, raport Kosovapress.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, mbrëmë për gazetën Nacionale ka thënë se për dorëheqjen e ka njoftuar ministren dhe kryeministrin.
“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI dhe këtë ja kam komunikuar Ministres Nagavci dhe Kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale. Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me Ministren e Kryeministrin”, ka thënë Pupovci.