Më pak kohë, më shumë kontroll: Çka ndryshon për adoleshentët në Instagram dhe Facebook - NACIONALE

Më pak kohë, më shumë kontroll: Çka ndryshon për adoleshentët në Instagram dhe Facebook

3 javë më parë

nga NACIONALE

Meta do të vendosë kufizime të reja për përdoruesit nën 18 vjeç në Instagram dhe Facebook, pas një marrëveshjeje me 47 shtete amerikane, Uashington D.C. dhe territore të SHBA-së lidhur me pretendimet për varësi nga rrjetet sociale.

Sipas ndryshimeve të paralajmëruara, adoleshentët do të mund t’i përdorin platformat maksimumi dy orë në ditë, përveç rasteve kur prindërit autorizojnë kohë shtesë. Përdorimi do të kufizohet automatikisht nga mesnata deri në orën 06:00, ndërsa njoftimet do të çaktivizohen gjatë orarit shkollor, nga 08:00 deri në 15:00.

Përdoruesit e rinj do të mund të çaktivizojnë për herë të parë funksionin “autoplay” dhe furnizimin e personalizuar nga algoritmet. Meta do të dërgojë gjithashtu paralajmërime pas 15, 60 dhe 90 minutash përdorimi të pandërprerë.

Kompania planifikon të fshehë numrin e pëlqimeve dhe të bllokojë disa filtra ekstremë të grimit apo ata që imitojnë ndërhyrjet estetike.

Meta ka premtuar edhe mbrojtje më të forta ndaj kontakteve të padëshiruara nga të rriturit, mjete të reja raportimi dhe kontrolle më të avancuara prindërore.

Masat e reja janë pjesë e një marrëveshjeje në ShBA dhe, për momentin, nuk është konfirmuar nëse do të zbatohen në të njëjtën formë edhe në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian thotë se është në bisedime me Meta-n për masa të krahasueshme

Lajme të ngjashme