Muzaqi i VV-së për mosekzekutimin e pagave: Ministri Murati po e mbron ligjin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, duke folur rreth mospagesën e mësimdhënësve për muajin shtator, ka deklaruar se ky vendim i marrë nga Ministria e Financave dhe Transfereve është në përputhje me Ligjin për Grevat.
“Ministri i Financave, Hekuran Murati, është duke e mbrojtur ligjin, ai po e mbron paranë publike, duke e respektuar Ligjin për Grevat në përpikëri”, ka thënë Muzaqi në Klan Kosova.
I pyetur se pse disa nga shërbyesit civilë të cilët ishin në grevë janë paguar për muajin shtator, Muzaqi tha të gjithë ata që kanë qenë në grevë nuk do të paguhen, sepse sipas tij, kështu e thekson ligji.
“Të gjithë ata që nuk e kanë kryer punën për të cilën janë të thirrur nuk paguhen. Sigurisht, sipas listave të gjithë ata që kanë qenë në grevë nuk do të paguhen, ligji e thotë kështu, nëse është bërë ndonjë gabim, mund të jetë gabim teknik, nuk ka asnjë selektim të asnjë qytetari të Kosovës”, tha deputeti i VV-së.
