Mustafa: Përfshirja e grave dhe vajzave, çelësi i përparimit shoqëror
Kandidati i PDK-së për deputet, Arben Mustafa, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së grave dhe vajzave në të gjitha sferat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike, duke e cilësuar barazinë gjinore si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit.
Sipas tij, nuk mund të ketë përparim të mirëfilltë shoqëror pa pjesëmarrjen aktive të grave dhe vajzave në tregun e punës, ndërmarrësi dhe qeverisje. Mustafa ka vlerësuar lart rolin historik të grave kosovare dhe ka bërë thirrje për angazhim më të madh të tyre jo vetëm në proceset zgjedhore, por edhe në parlament, qeveri dhe institucionet publike.
Ai ka ritheksuar se PDK mbetet e përkushtuar për fuqizimin e grave dhe avancimin e barazisë gjinore, si pjesë e vizionit për ndryshimin dhe zhvillimin e Kosovës.