Mustafa: Fitore Pacolli tha se e ka mbrojtur Kosovën nga Thaçi e Haradinaj, sot përuroi rrugë me emrin e Gjingjiqit
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar ndaj ministres në detyrë Fitore Pacolli, duke e akuzuar atë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për qëndrime kontradiktore ndaj historisë së Kosovës dhe figurave të luftës.
Mustafa kujtoi deklaratat e fundit të Pacollit, e cila sipas tij kishte thënë se Kosova ishte mbrojtur nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, pasi ata “paskan dashtë me e shitë”, ndërsa po ashtu kishte ofenduar “mendësinë e Drenicës”.
Ai kritikoi edhe përurimin e një rruge në veri me emrin e ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, emër që, sipas tij, është vendosur në të njëjtën shtyllë me atë të heroit Isa Boletini.
“Çka janë këta njerëz që e njollosin UÇK-në dhe Drenicën, ndërsa e nderojnë dhe lartësojnë Gjingjiqin? Qysh munden në Veriun ku thonë se u shtri sovraniteti me promovu dikë që e quanin arkitekt të ndarjes së Kosovës?”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka ngritur pyetje edhe për qëndrimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se është e papranueshme që, sipas tij, të kërkohet burgim i përjetshëm për ta, ndërsa në të njëjtën kohë të promovohet figura e Gjingjiqit.
“Pse njerëzit e Albin Kurtit duan ta fusin në historinë e lavdishme Zoran Gjingjiqin derisa kërkojnë burg të përjetshëm për krerët e UÇK-së? A është kjo e vërteta e Albin Kurtit që i quan komandantët ‘zullumqarë’?”, ka thënë Mustafa.