Musliu: Kurti dhe VV-ja nuk duan të dëgjojnë për kërkesat e qytetarëve
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër deputetët e VV-së, të cilët sot kanë braktisur seancën e jashtëzakonshme për rritjen e koeficientit të pagave.
Në adresimin e saj në Kuvend, ajo ka thënë se partisë në pushtet nuk i interesin për të punësuarit në sektorit publik dhe as për policët.
“Nuk është hera e parë sot, që për koeficient të pagave Lëvizja Vetëvendosje braktis dhe bojkoton sallën e Kuvendit. E mbani mend mirë që është po kjo Lëvizja Vetëvendosje e cila para një jave braktisi Kuvendin e i bojkotoi kërkesat e policisë së Kosovës. Atyre policëve me të cilët fotografohen e krenohen cdo ditë, sepse Levizjes Vetëvendosje nuk i intereson se si jetojnë policët e Kosovës. Nuk ju intereson a kanë këpucë me mbath, a kanë uniforma me vesh, a kanë policët per ti ushqyer fëmijët e tyre, sepse anëtarët e Vetëvendosjes fëmijët e tyre i rrisin e i shkollojnë nëpër shtetet e Evropës. Lëvizja Vetëvendosje mjaftohen duke postuar një fotografi në rrjetet sociale dhe mendojnë që e kena kryer obligimin shtetëror ndaj këtij Institucioni”, ka thënë Musliu.
Ajo ka përmendur se Lëvizja Vetëvendosje dikur ka braktisur Kuvendin sa herë që lëshohej himni i Kosovës në sallë.
“Është po lëvizja Vetëvendosje që e braktisi dhe shpërdoroj flamurin e Kosovës. Është po lëvizja Vetëvendosje që nuk e njohu dhe protestoi kundër Pavarësisë së Kosovës derisa erdhi në pushtet. Është po lëvizja Vetëvendosje që diasporën e sheh vetëm si bankomat edhe si votë dhe e pat se si i mashtroi me kartonin e gjelbërt. Është po lëvizja Vetëvendosje e cila shkeli mbi gjakun e Astrit Deharit, Mon Balajt e Arben Xheladinit për me ardh në pushtet, e sot i humbin edhe provat për moszbardhjen e rastit”, ka thënë Musliu.
Deputetja e PDK-së ka thënë se kryeministri Kurti dëshiron vetëm ta sundojë popullin e Kosovës.
“Albin Kurti dhe kjo lëvizje as që don me ni për kërkesat e qytetarëve, qofshin ato te policëve apo ushtarëve, qofshin ato të minatorëve, qofshin ato te mjekëve apo infermierëve, qofshin ato të mësuesëve apo të zjarrfiksëve, qofshin ato të bujqëve e fermerëve, qofshin ato të sportistëve e artistëve, të shoqërisë civile apo të mediave. Sepse krejt çka done çka synon ky pushtet është të varfëroj popullin e Kosovës për ti sunduar me lehtë”, ka thënë Musliu.