Musliu fajëson Qeverinë Kurti: Kosova po e përjeton eksodin më të madh të historisë së saj
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka fajësuar Qeverinë Kurti për emigrimit masiv të qytetarëve të Kosovës.
Në seancën e stome parlamentare, ajo ka thënë se qeveria nuk po e ndërmerr asnjë hap për të parandaluar këtë eksod.
“Sot ne kemi një qeveri e cila çdo ditë e më shumë po e groposë përfundimisht shpresën e qytetarëve dhe po e fakton se ndryshimin që e propaganduan e sollën por e sollën për keq. Si rezultat i gjithë kësaj, me një politikë kaotike dhe pa përmbajtje në sfond, qytetarët tanë kanë marrë botën në sy. Kosova po e përjeton eksodin më të madh të historisë së saj. Po e përjeton në heshtje sepse tematizimi i tij nuk është në favor të qeverisë”, ka thënë Musliu.
Sipas saj, emigrimi po bëhet si revoltë ndaj pushtetit aktual.
“Mjekë, mësues, ushtarë, polic, zjarrfikës, bankierë, avokatë, sipërmarrës, shtresat e mesme të arsimuara, qytetarë të cilët do të preferonin të qëndronin dhe të ndërtonin të ardhmen e tyre në Kosovë, sot, për shkak të bastardimit të sistemit dhe për shkak të zhvlerësimit të tyre profesional dhe personal kanë zgjedhur të braktisin vendin. Dyqanet nuk kanë klientë. Shtëpitë nëpër fshatra kanë mbetë bosh”, ka thënë Musliu.