Mushkolaj: Opozita e LDK-së po fokusohet vetëm te lideri - do të ishte mirë të decentralizohet - NACIONALE

Mushkolaj: Opozita e LDK-së po fokusohet vetëm te lideri - do të ishte mirë të decentralizohet

4 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Analisti politik Imer Mushkolaj ka deklaruar për gazetën Nacionale se në këtë mandat LDK-ja po bën opozitë me diskurs të LV-së.

“Është një mënyrë e të bërit opozitë, pak ma ndryshe se që e kemi pa LDK-në duke bë opozitë në të kaluarën. Kjo edhe për shkak që Abdixhiku është një profil tjetër prej atyre të mëparshëmve, edhe pse është produkt i garniturës së vjetër të LDK-së. Ai ka zgjedhur të bëjë një opozitë jo-konfliktuoze dhe jo shumë të zhurmshme, por në shumë pika ose në shumë çështje, të paktën si e shoh unë, sikur po përpiqet me imitu Vetëvendosjen – jo në veprime, por në diskurs, edhe në qasjen që e ka mbi mënyrën se si po qeveriset”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkaloj ka treguar se opozitarizmi i LDK-së në këtë mandat është i centralizuar te lideri e jo i shpërndarë te njerëz të tjerë brenda partisë.

“Opozitën e LDK-së më shumë po e shoh të përqendruar tek Abdixhiku, sesa të shpërndarë edhe tek njerëz të tjerë të partisë. Mua më krijohet përshtypja si qytetar, se në njëfarë forme, të gjithë brenda LDK-së nuk duan të flasin – pra po flas për zyrtarët e LDK-së – para se ta thotë fjalën kryetari. Do të ishte mirë që të decentralizohet kjo përgjegjësi, në kuptimin që njerëz të caktuar, që mbajnë pozita në LDK ose që janë deputetë të flasin për çështje të cilat ata janë më kompetent. Kështu, po e shoh njëfarë lloj centralizimi të të bërit opozitë tek emri i Abdixhikut, ndërsa unë besoj që nuk të duhej të ishte kështu”, ka deklaruar Mushkolaj.