Murtezaj: Emisarët e Macron dhe Scholz janë shtytje e re për dialogun
Profesori i diplomacisë Valon Murtezaj ka thënë se dërgimi i emisarëve të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz është një shtytje e re për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka theksuar se dialogu duhet të merret me seriozitet të lartë nga pala kosovare.
“Franca dhe Gjermania janë shtetet kryesore në Bashkimin Evropian – kjo nënkupton se dialogu ka një moment të ri duke pasur parasysh se edhe në të kaluarën integrimi i Ballkanit Perëndimor është konsideruar si çështje e sigurisë së BE-së”, tha Murtezaj për Klan Kosova.
Profesori shton se tani duke pasur parasysh agresionin e Rusisë në Ukrainë, është i nevojshëm ky angazhim i Francës dhe Gjermanisë.
“Në njërën anë kjo tregon interesim dhe përfshirje të drejtpërdrejtë që është gjë e mirë – edhe një herë konfirmohet se dialogu nuk është proces periferik për BE-në. Në anën tjetër është një lloj rienergjizimi i dialogut sepse pas gjithë këtyre viteve nuk është se ka pasur suksese të mëdha”, tha ai.
“Emnanuel Bon është presoni kryesor i diplomacisë së presidentit francez Emmanuel Macron. Kjo tregon se ai po dërgon njeriun më të rëndësishëm në këtë proces”, shtoi tutje Murtezaj.