Murati: Për 6 muaj, mbështetëm mbi 61 mijë familje me subvencionimin e energjisë
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se për gjashtë muaj, i kanë mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike.
Murati përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se këto familje do ta përfitojnë subvencionimin edhe këtë muaj.
“Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme.” – ka shkruar tutje ai.
Postimi i plotë:
Për 6 muaj me radhë, kemi mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike.
Familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike.
Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme.
Mësimet e informatat që kemi mbledhur përgjatë pilotimit 6-mujor do të përdoren që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të ri-aktivizohet në stinën e dimrit.
Masa e pilotimit ka qenë e mbështetur financiarisht nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian, në kuadër të mbështetjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e krizës energjetike.