Murati: Në dialogun Kosovë-Serbi mungon serioziteti nga të dyja palët
Ish-deputet dhe tani kryetar i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në emisionin “Info Plus” në RTK, tha se ndonjë pritshmëri të madhe për çështjen e bisedimeve nga takimi i 18 gushtit në Bruksel.
“Bashkimi Evropian, emisari special për Kosovën, por edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Borrell, sigurisht me shqetësim e kanë pritur këtë situatë të re për shkak se BE i shqetësohet çfarëdo tensionimi të situatës në Kosovë e rajon dhe kanë bërë përpjekje që të reagojnë”, tha Murati.
Ai ka thënë se as Serbia dhe as Kosova nuk po e marrin seriozisht procesin e diskutimit.
“Në thelb, fatkeqësisht nuk shoh nga Serbia jo se jo, por as nga pala jonë, tash e një kohë të gjatë, një qasje serioze në raport me dialogun, në raport me atë se çka po duam të nxjerrim nga ky proces i rëndësishëm për Kosovën”, tha Murati.
Duke folur për trazirat e fundit në veri të vendit, Murati deklaroi se situatat e tensionuara atje dëshmojnë për një gjë që çështja e veriut të Kosovës është një problem i rëndë politik.
“Ne e konsiderojmë të pamundshme zgjidhjen e një problemi të tillë me këto mjete, por ky zgjidhet përmes zbatimit të reciprocitetit me Serbinë”, tha Murati, duke shtuar se “jo këtë reciprocitetin me targat, por atë reciprocitetin politik”, tha ai në “Info Plus”.
Sipas tij, duhet guxim për të nxjerrë në pah vështirësitë kryesore politike të Serbisë në vend që të përmenden vetëm vonesat teknike të procesit, siç është bërë për një kohë shumë të gjatë.