Muja e fajëson Thaçin: Po të mos ishte letra, veriu do të harrohej si problem – FSK do të ishte atje
Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, mbrëmë ka dhënë një intervistë në emisionin “Pressing” të T7, ku foli për shumë tema, përfshirë dialogun, veriun e Asociacionin.
Në lidhje me situatën në veri të Kosovës, Muja ka bërë një deklaratë, që më shumë i ngjan fajësimit. Në fjalën e tij, Muja e përmendi letrën që Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, ia kishte dërguar NATO-s në lidhje me zbarkimin e FSK-së në veri.
Sipas tij, kjo letër, e cila ofronte garanci që FSK-ja do të ndërmerrte misione në veri vetëm në bashkëveprim me KFOR-in, ishte pengesë e madhe gjatë menaxhimit të situatës në veri. Tutje, ai vlerësoi se sikur të mos ishte kjo letër, veriu do të harrohej si problem.
“Janë do barriera. Një barrierë është, ta zëmë, përkushtimi për mos shkuarjen e FSK-së, të garantoj që po mos të ishte edhe ajo letër, veriu i vendit do të harrohej si problem. Do të thotë FSK-ja do të ishte atje. Ajo, them realisht, ajo ka qenë, e di nga brenda, një nga pengesat esenciale gjatë menaxhimit të situatës ka qenë ajo letër” – deklaroi Muja.