Muçaj: Paditë SLAPP në rritje
Argzon Muçaj, nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se paditë e njohura si Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP) janë në rritje dhe se gjyqësori ka vendosur t’i trajtojë ato me prioritet.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Muçaj tha se në kuadër të Planit Strategjik për Qasje në Drejtësi, gjyqësori ka përfshirë si çështje prioritare paditë për shpifje dhe fyerje ndaj gazetarëve, si dhe paditë e tjera që kategorizohen si SLAPP.
Sipas tij, një vendim i tillë është marrë edhe për shkak të numrit të madh të lëndëve të akumuluara ndër vite, ku në shumë raste është dashur të pritet për vite të tëra për trajtimin e padive për shpifje dhe fyerje.
Muçaj theksoi rëndësinë e informimit të drejtë të publikut dhe rolit të mediave në ushtrimin e lirisë së shprehjes, por nënvizoi se kjo liri nuk është absolute.
“Liria e shprehjes shtrihet deri në atë masë sa nuk e cenon reputacionin, nderin apo prestigjin e personit tjetër”, tha ai.
Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë theksoi se ngarkesa e vazhdueshme e gjyqësorit me lëndë ka ndikuar drejtpërdrejt në efikasitetin e trajtimit të padive për shpifje dhe fyerje.
“Aspekti i parë- mund të jetë një numër shumë i madh i padive që paraqiten ndaj gazetarëve dhe në këtë rast mund të jetë e mundimshme ngase gjatë raportimit apo informimit publik mund të ketë numër të madh, dhe në këtë rast i pengon në punën e përditshme. Në qoftëse gjyqësori nuk është efikas- ngase ka qenë i ngarkuar me numrin e madh të lëndëve, dhe ky numër i madh i lëndëve me kalimin e viteve gradualisht është rritur. Kjo ka ndikuar edhe në efikasitetin e padive që kanë të bëjnë me fyerje dhe shpifje”, tha Muçaj.