MPJD e konfirmon se Petkoviqit iu refuzua vizita në Kosovë
Shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq i është refuzuar vizita në Kosovës.
Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, duke mos treguar arsyet e refuzimit të kërkesës për vizitë.
Nga ana tjetër, gjatë ditës, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se Petkoviqi kishte kërkuar që të vizitonte Kosovën për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.
Sipas një njoftimi, Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.
“Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim.” - thuhet në njoftimin e kësaj zyrje.
Kjo zyrë tha se për më shumë se një vit, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviqin që të vizitojë serbët në Kosovë.
“Këto ndalime [të vizitave] jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”.