Mot me diell dhe vranësira të dielën, reshje dhe bubullima në mbrëmje
Të dielën vendi do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe vranësira të herëpashershme. Gjatë orëve të pasdites pritet të ketë reshje lokale shiu në disa zona të vendit.
Në mbrëmje vonë, pak para dhe pas mesnatës, reshjet do të intensifikohen në të gjithë territorin, lokalisht në formë rrebeshi të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit, ndërsa herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi që mund të arrijë nga 15 deri në 50 km/h.
Temperaturat do të shënojnë rritje të lehtë krahasuar me ditët e mëparshme. Minimalet do të lëvizin nga 0°C deri në 7°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 16°C deri në 19°C. Gjatë periudhave me reshje, temperaturat do të pësojnë një ulje të ndjeshme, raporton MeteoKosova.