Mosparaqitja e ministres Hajdari në gjykatë, Çitaku: Ky është sabotim i qëllimshëm i shtetit
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi ministrja në detyrë e Industrisë, Ndermarresisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot nuk është paraqitur në gjykatë për t`u përballur me aktakuzën për skandalin e rezervave shtetërore.
Ajo ka vlerësuar se ky është sabotim i qëllimshëm i shtetit.
Në profilin e saj në “Facebook”, Çitaku ka shkruar se është përpjekje për të delegjitimuar institucionet dhe vet shtetin.
“Pra, sot Rozeta refuzoi të paraqitet në Gjykatë, si e akuzuar për aferën korruptive me rezervat shtetërore. Albini, në anën tjetër, refuzon të paraqitet në prokurori. Në të njëjtën ditë kur Prokuroria ngriti aktakuzë për sulmin terrorist në Ibër–Lepenc. A po e kuptoni paradoksin? Ky është sabotim i qëllimshëm i shtetit. Është përpjekje për të delegjitimuar institucionet dhe vet shtetin. E njëjta Prokurori është në të dyja rastet. E çka tash? A është kjo ftesë publike për secilin që të mos t’i përgjigjet Prokurorisë? Kjo është thirrje për anarki. Për kaos. Për vetgjyqësi”, ka shkruar ajo.