“Mos fleni se shkuam poshtë”, Tahiri: Rritja e vlerës së koeficientit në 129 euro është urgjente
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, sërish ka kërkuar rritjen e vlerës se koeficientit për pagat në sektorin publik.
Ai ka thënë se rritja e kësaj vlere në 129 euro është urgjente.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kosova është më së keqi në rajon në mesataren e pagave.
Sipas tij, në këtë mënyrë po rrezikohet ikje masive të punëtorëve!
“Rajoni, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur të marrin masa të shpejta, për t’u përballur me zhvillimet që po prodhohen nga ikja e punëtorëve. Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, po diskutohet për rritjen e pagës mesatare në 900 euro deri në prillin e vitit 2024. Lëvizje të ngjashme kanë marrë edhe vendet tjera të rajonit. Në krahasim me vitin 2015, kur Kosova kishte pagën mesatare 444 euro, Maqedonia e Veriut – 504 euro, Serbia – 537 euro, Mali i Zi – 726 euro dhe Shqipëria 259 euro”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të veprojë më urgjencë në këtë drejtim.
“Aktualisht, paga mesatare në rajon është: Kosova 504 euro, apo rritje prej 60 euro; Maqedonia e Veriut, 705 euro apo rritje prej 201 euro; Serbia – 763 euro, apo 226 euro, Mali i Zi – 792 euro apo 66 euro dhe Shqipëria – 900 euro, apo 641 euro. Përderisa këta numra tregojnë për rritjen e pagës mesatare në rajon, Qeveria e Kosovës dhe Ministri Murati, përveç koeficientit të përcaktuar 105 euro, nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Me urgjencë duhet të shqyrtohet rritja e koeficientit në 129 euro në administratë publike siç kemi propozuar ne si AAK dhe të merren masa të shpejta për pagën minimale sipas amandamentit tonë që e kemi propozuar në Komisionin për Buxhet”, ka shkruar Tahiri.