shtyn protestën kundër Hekuran Muratit: Duhet organizim më i fuqishëm - NACIONALE

shtyn protestën kundër Hekuran Muratit: Duhet organizim më i fuqishëm

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj, ka njoftuar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook se do ta shtyjë protestën kundër ministrit të Financave, Hekuran Muratit, pas zbardhjes së deklarimeve të tij kundër UÇK-së.

Molliqaj e ka konsideruar si “të përllogaritur” kërkimfaljen e bërë nga Murati, por është shprehur se duhet një “organizim edhe më i fuqishëm” për protestën.

“Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja.” – është shprehur mes tjerash z. Molliqaj.

Ai është shprehur se protesta do të shtyhet për një moment të dytë, e deri atëherë do të mjaftohemi me aktivitete tjera nga ana e aktivistëve të PSD-së.

Postimi i plotë:

Murati i ri është ai i vjetri

Me çka matet një pendesë nëse jo me veprime politike? Me çka matet vërtetësia e fjalës së thënë përpos me materializim të saj? Cila është konsekuenca politike e një pozicioni rrënues ndaj bindjeve tona si shoqëri, për liri e çlirim? Çfarë mbetet nga kërkimfalja, kur asaj i kalkulohet motivi? Cili na qenka morali i saj?

Që ministri Murati ka ndërruar, zor t’i zihet besë. Ajo logjikë nxjerr krye tek vonesa në reagim. E përllogaritur sikur tek statusi për koston financiare të lirisë. Pendesa duket ndryshe dhe pasohet nga veprime konkrete. Test provues më i afërt në kohë do të jetë ligji për pagën minimale.

Në ndërkohë, Partia Socialdemokrate do të vazhdojë me aktivitete në shërbim të dekonstruktimit të kësaj Qeverie anti-UÇK dhe do t’i kundërshtojë pa kompromis të gjitha elementet e saj.

Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë.

Mirëpo, për një fitore edhe më të madhe se kjo, ku e vërteta për çlirimin do të ishte e pacenushme, një herë e mirë, duhet një organizim edhe më i fuqishëm. Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja.

Në këtë rrethanë, ne duhet që protestën ta shtyjmë për një moment të dytë. Ditëve në vijim do të njoftoheni për aktivitetet e radhës.

Lajme të ngjashme