Molliqaj: PSD mbështet dhe i bashkohet protestës së OVL-UÇK-së kundër ZPS-së dhe EULEX-it
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se partia e tij e mbështet dhe do t’i bashkohet protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Gjykatës Speciale dhe EULEX-it.
Molliqaj ka thënë se përgjimet dhe përndjekjet kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së janë përpjekje e Gjykatës për t’i mbuluar dështimet e veta.
“Arbitrariteti e pabarazia midis palëve në procedurë nuk mund ta ketë kurrë rezultat drejtësinë. Një Gjykatë e padrejtë sjell represion.” – ka shkruar ndër të tjera Molliqaj në Facebook.
Kujtojmë se kryeveterani Faton Klinaku ka bërë të ditur se protesta do të mbahet nesër më 15 shtator para selisë së EULEX-it në Fushë Kosovë në ora 12:00.
Shkrimi i plotë:
Partia Socialdemokrate mbështet dhe i bashkohet protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër veprimeve të fundit të Gjykatës Speciale. Përgjimet e përndjekjet kundër ish luftëtarëve janë përpjekje e Gjykatës për t’i mbuluar dështimet e veta.
Kjo Gjykatë doli jashtë Kosovës duke akuzuar sistemin vendor për paaftësi në administrim të drejtësisë. Por, nga asnjë Gjykatë e Kosovës nuk kanë rrjedhur më shumë dosje, emra e prova sesa nga vetë Gjykata Speciale.
Arbitrariteti e pabarazia midis palëve në procedurë nuk mund ta ketë kurrë rezultat drejtësinë. Një Gjykatë e padrejtë sjell represion.
Solidaritet!
