Molliqaj, opozitës: Refuzojeni Kurtin ose ndërrojeni emrin
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka kërkuar nga opozita që t’i refuzojnë takimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Molliqaj në një postim në Facebook, ka thënë se “opozita është e kapur pas përfitimit dhe nuk i përshtatet refuzimi”.
Postimi i plotë:
Refuzojeni Kurtin ose ndërrojeni emrin.
Kush nuk mëson nga gabimi bëhet ingranazh i sistemit. Pjesë e problemit. Kjo është historia e opozitës formale. Sot e kritikojnë që nesër ta takojnë. Thua ti që refuzimet janë kërkesë/lutje për ftesë. Apo edhe janë?
Në takimet që Kurti ftoi opozitën, ata do të duhej ta refuzonin pjesëmarrjen. Pa ekuivoke. Por opozita formale është aq e kapur pas përfitimit saqë nuk i pështatet refuzimi. Kanë tjera plane, e ku njerëzit e këtij vendi nuk janë pjesë.
PSD thërret në qëndresë. Për atë që ne e themi është dëshmi koha. Nëse jemi gabim, sot është momenti i përgënjeshtrimit.
Por jo! Të gjithë në radhë, gatitur janë (PDK, LDK)! Cili është i përzgjedhuri i Kurtit. Përkohësisht, kuptohet.
Nuk ka kuptim marrëveshja me autoritarë, përveç kur nuk je opozitë.