Molliqaj: Kurti duhet të japë përgjegjësi për 1 vit e gjysmë dialog të fshehtë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se tashmë Plani franko-gjerman është pranuar, mirëpo dikur ishte mohuar ekzistenca e tij.
Molliqaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kurti duhet të japë përgjegjësi për 1 vit e gjysmë dialog të fshehtë.
“Më në fund, duhej të fliste kryeministri. Kryeministri foli, si pa shkas, teksa po adresohej për veriun, bojkotin dhe tensionet. Të gjitha ngjarjet në veri qenkan rezultat i një shkaku të vetëm: Serbia e paska refuzuar planin franko-gjerman. Kosova i ka disa vërejtje por nuk e ka refuzuar”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka thënë se gjithë kjo është skemë e njohur, e sipas tij është skemë e vjetër sa vetë jeta.
“Ashiqare, skemë e njohur, skemë e vjetër sa vetë jeta. Kurse ne mendonim e analizonim se çfarë do të gatuante. Armiku si argument: Serbia ka refuzuar, rrjedhimisht është i mirë për ne. Së dyti pranimi i planit duhet të vijë në një situatë tensioni. Kur frika e konfliktit është sfondi, cilësia e marrëveshjes është gjithnjë në plan të dytë dhe më pak e gjykuar. Ta shfrytëzosh Serbinë si argument është veçse mungesë. Kur nuk ke çfarë të tregosh në mënyrë afirmative, është gjithnjë si prezencë aty Serbia”, ka shkruar tutje kreu i PSD-së.
