MMPHI shkëput kontratat e 20 zyrtarëve serbë, Pacolli: Mungonin vazhdimisht në punë - NACIONALE

MMPHI shkëput kontratat e 20 zyrtarëve serbë, Pacolli: Mungonin vazhdimisht në punë

2 orë më parë

nga NACIONALE

Ministrja në detyrë e Ministrisë Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI-së), Fitore Pacolli, ua ka shkëputur kontratat e punës 20 zyrtarëve të komunitetit serb në këtë ministri.

Pacolli, në arsyetimin e saj, ka thënë se këtyre zyrtarëve, të njohur si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”, u janë shkëputur kontratat si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës.

“Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPHI-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-‘Mbrojtjes Civile’. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.”

Njoftimi i plotë:

Shkëputen kontratat e punës për 20 zyrtarë të MMPHI-së

Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPHI-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës.

Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund ta mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe me respektim të plotë të detyrës zyrtare.

Lajme të ngjashme