Mitrovica hap procesin e aplikimit për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se nga sot, më 12 janar 2026, ka nisur procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, si në ekonomitë familjare ashtu edhe në biznese. Institucionet komunale po u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur që t’i paraqesin kërkesat e tyre brenda afatit të përcaktuar.
Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët duhet të dorëzojnë aplikimet e tyre pranë Zyrës Pritëse – Qendrës për Shërbime të Qytetarëve në Komunën e Mitrovicës. “Qytetarët e dëmtuar nga vërshimet duhet të dorëzojnë aplikacionin me dokumentacionin përkatës, në mënyrë që të realizohet procesi i vlerësimit të dëmeve në terren”, thuhet në njoftimin e komunës.
Procesi i aplikimit kërkon paraqitjen e dokumenteve të obligueshme, të cilat përfshijnë:
- formularin e aplikimit;
- të dhënat personale të aplikuesit;
- kopjen e letërnjoftimit;
- numrin e anëtarëve të familjes;
- adresën e objektit të dëmtuar;
- fotografi që pasqyrojnë gjendjen reale të dëmeve;
- konfirmimin e llogarisë bankare;
- si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar.
Komuna ka bërë të ditur se afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 26 janari 2026. Aplikimet pranohen çdo ditë pune në Zyrën Pritëse të Komunës së Mitrovicës, e cila ndodhet në katin e parë të objektit komunal.