"Mik i mirë i babit": Djali i Hashim Thaçit mbështet “Lali Erin” për kryetar të Tiranës
Edhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçi është përfshirë në zgjedhjet lokale në Shqipëri duke i dhënë mbështetje publike kandidatit të PS-së për kryetar të Tiranës.
Me një fotografi të ish-presidentit Thaçi prapa vetes, z. Endrit Thaçi ka deklaruar se do ta mbështes e do ta votojë Erion Veliajn për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
“Si shumë shqiptarë të tjerë me dy shtetësi, edhe unë do të votoj dhe nuk kam dyshim për kë do të votoj, për Erionin natyrisht.” – ka thënë z. Thaçi në deklarimin e tij.
Ai ka shtuar tutje se z. Veliaj është “mik i mirë i babit (H. Thaçit)” derisa ka folur shkurtimisht edhe për punën e tij në krye të Tiranës.
Edhe shumë politikanë tjerë kosovarë me familjarë të tyre kanë pasaporta të Shqipërisë, por pak prej tyre kanë treguar se për kë do të votojnë.
Kujtojmë se edhe këngëtarja e famshme britanike me origjinë shqiptare, ka deklaruar se e mbështet Erion Veliajn edhe për një mandat tjetër.