Mihali e VV-së përkujton protestën e 10 shkurtit: Motivet e asaj demostrate vlejnë edhe sot
Dejona Mihali, koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, ka përkujtuar aktivistët e vrarë dhe të plagosur të VV-së, nga policia e UNMIK-ut në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007.
Me anë të një postimi në Facebook, Mihali ka shkruar se motivet e asaj proteste janë të vlefshme edhe sot.
Tutje, ajo ka thënë se padrejtësitë e Pakos se Ahtisarit edhe sot po rëndojnë mbi Republiken e Kosovës.
“Motivet e asaj demonstrate janë ende të vlefshme edhe sot. 6 padrejtësitë e pakos së Ahtisaarit që kundërshtonim atë ditë rëndojnë ende mbi Kosovën”, ka shkruar Mihali.
Mihali ka kujtuar edhe të plagosurit dhe të arrestuarit e asaj proteste.
“Arben Xheladini dhe Mon Balaj u qëlluan në kokë dhe u vranë. Hysni Hyseni u qëllua në syrin e djathtë i cili iu verbua. Zenel Zeneli u qëllua në qafë dhe në gjoks, Zeneli ende e ka plumbin afër zemrës për shkak se nuk mund t’i nënshtrohet operacionit. Mustafë Nerjova ka një pjesë të kafkës me plastike për shkak të dëmtimit nga plumbat. Glauk Konjufca e Liburn Aliu u qëlluan në fytyrë me plumba. Tetëdhjetë e dy vetë u lënduan e u plagosën rëndë e lehtë”, ka shkruar Mihali.