Mësimi gjithëditor në Prishtinë, Lushaku: Ka lehtësuar edhe organizimin familjar - NACIONALE

Mësimi gjithëditor në Prishtinë, Lushaku: Ka lehtësuar edhe organizimin familjar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aplikimi i mësimit gjithëditor për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën në komunën e Prishtinës, gjatë vitit 2024 është mirëpritur jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga prindërit.

Kështu po vlerëson drejtoresha e Arsimit për kryeqytetin, Jehona Lushaku Sadriu.

“Kemi adaptuar shumë shpejtë shkolla. E kanë bërë ndarjen fizike të klasave gjashta-nënta dhe te klasat një-pesë. Te klasat një-pesë është aplikuar mësimi gjithëditor ku fëmijët kanë pasur mundësinë që ta kenë një orar më të zgjatur, që paradite të kenë kurrikulat bazë e pasdite aktivitet dhe në mes të kenë një shujtë ditore të ngrohtë, të shërbyer dhe të financuar tërësisht nga kryeqyteti. Ky model ka qenë një model që është implementuar suksesshëm dhe që ka krijuar lehtësira për planifikimin familjar, koston e familjes e ka ulur sepse ka kosto zero për prindërit të cilët më herët është dashur të paguajnë qëndrime ditore për fëmijë. Por edhe e ka ngritur arsimin që kurrikulat bazë, lëndët bazike të realizohen paradite dhe mësuesja i realizon detyrat e shtëpisë, pastaj pasdite me aktivitet që krijojnë më tepër kënaqësi fëmijëve”, ka deklaruar Sadriu Lushaku për Ekonomia Online.

Sadriu Lushaku theksoi gjithashtu se ky model ka përmirësuar cilësinë e mësimit, pasi fëmijët kanë mundësi të mësojnë për një periudhë më të gjatë, duke realizuar më shumë aktivitete që kontribuojnë në zhvillimin e tyre.

“Ne kemi bërë një pyetësor që kemi marrë një matje, dhe përgjithësisht kënaqëshmëria është tepër e lartë, madje kemi kërkesa edhe nga prindërit e shkollave të tjera që të vazhdojmë sa më shpejtë me shkollat e tjera, mirëpo besoj që kjo do të jetë modeli i duhur për të gjitha shkollat e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës. Jo vetëm pse e lehtëson organizimin familjar dhe koston e ulë për shkak se niveli dhe cilësia e mësimdhënies dhe mësimxënies është më e madhe. Nuk është njëjtë sikur mësimi të realizohet për katër orë, si për tetë orë. Për të njëjta libra i kanë fëmijët mundësinë për tetë orë, të marrin të njëjtat mësime që japin mundësi të mira fëmijët”, theksoi ajo.

Lajme të ngjashme