Merzi thotë se rendi botëror i mbështetur në rregulla nuk ekziston më - NACIONALE

Merzi thotë se rendi botëror i mbështetur në rregulla nuk ekziston më

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i paralajmëroi udhëheqësit botërorë në Konferencën e Mynihut për Sigurinë se rendi botëror i mbështetur në rregulla nuk ekziston më.

Merzi tha se “liria jonë nuk është e garantuar” në një epokë të politikave të fuqive të mëdha dhe se evropianët duhet të jenë të gatshëm për të bërë “sakrificë”, raporton televizioni BBC.

Kancelari gjerman gjithashtu pranoi se “një përçarje e thellë është hapur mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara” – referencë e mundshme ndaj kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj sovranitetit të Danimarkës duke u zotuar për ta aneksuar Grenlandën dhe politikat e tij të taksave ndaj vendeve të tjera evropiane.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, i cili po e dëgjonte fjalimin e kancelarit gjerman dhe do ta mbajë fjalimin e vet të shtunën, më herët foli për “një epokë të re në gjeopolitikë”.

Rreth 50 udhëheqës botërorë pritet të marrin pjesë në konferencën e këtij viti, ku pritet të diskutohet për mbrojtjen e Evropës dhe për të ardhmen e marrëdhënies transatlantike.

Lufta mes Rusisë e Ukrainës, tensionet mes Perëndimit e Kinës si dhe një marrëveshje e mundshme bërthamore mes Uashingtonit e Teheranit janë gjithashtu në agjendën e takimit të përvitshëm.

Duke iu referuar disa paralajmërimeve se rendi i mbështetur në rregulla po shembet, Merzi në konferencë tha: “Kam frikë se duhet ta themi edhe më drejtpërdrejt: ky rend, sado i papërsosur që ishte edhe në momentin e tij më të mirë, nuk ekziston më në atë formë.”

Lajme të ngjashme