Merkeli thotë se nuk kishte pushtet për të ndikuar te Putini
Ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e ka mbrojtur politikën e saj ndaj Rusisë para fillimit të pushtimit të Ukrainës, duke thënë se nuk i kishte mbetur pushtet për të ndikuar te Vladimir Putini.
Ajo tha se ishte përpjekur që të organizonte bisedime evropiane me presidentin rus dhe homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në verën e vitit 2021, raporton televizioni BBC.
“Por unë nuk e kisha pushtetin që ta arrija qëllimin tim. Vërtet secili e dinte: në vjeshtë ajo do të shkojë”- tha ish-kancelarja për revistën gjermane, “Der Spiegel”.
Pas katër mandateve në krye të ekzekutivit, zonja Merkel u largua nga pushteti në dhjetorin e vitit të kaluar. Ajo e vizitoi Moskën në gusht të vitit 2021 dhe i tha revistës se “ndjenja ishte shumë e qartë: në aspektin e politikës me pushtet, ke mbaruar.”
Ajo shtoi se “për Putinin, vetëm pushteti vlen.” Në këtë intervistë, ish-kancelarja tha se pozicioni i saj ndaj Ukrainës në bisedimet e Minskut për paqe i kishte sjellë kohë Kievit për ta mbrojtur më mirë veten kundër ushtrisë ruse.
Zonja Merkel tha se nuk është penduar që është larguar nga pushteti, sepse e kishte përshtypjen se qeveria e saj ishte duke dështuar që të shënonte përparim, jo vetëm për krizën në Ukrainë, por gjithashtu edhe për konlfiktet në Moldavi, Gjeorgji, Siri dhe Libi dhe në të gjitha këto konflikte ishte e përfshirë Rusia.