Menjëherë pas konferencës, Prokuroria e fton për intervistim Maria Bamieh
Të shtunën, ish-prokurorja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh, përmes një konference për media ka treguar për skandalet e këtij misioni në Kosovë, por edhe për shumë çështje tjera. E menjëherë pas konferencës , Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar sot ish-prokuroren e EULEX-it, Maria Bamieh, për intervistim.
Këtë e konfirmoi ish-prokuroria Maira Bamieh në një postim të saj në rrjetin social në Facebook.
“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku nën dyshimin që ka kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete.
"E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kosovare”, ka shkruar Bamieh.
E Bamieh, 13 ditë pasi fitoi gjyqin me Britanin e Madhe lidhur me sinjalizimin e aferave të dyshuara korruptive në misionin më të madh të jashtëm të Bashkimit Evropian, EULEX, ka ardhur në Kosovë ku ka folur për përfshirjen e zyrtarëve të EULEX-it në afera të ndryshme.
Gjatë konferencës për medie, Bamieh ka thënë se në shpërthimin në lokalin “Sekiraça” kishte dy dëshmitarë.