Meliza Haradinaj për mungesën në Samitin e NATO-s: Problemi nuk është statusi i Kosovës, por diplomacia
Meliza Haradinaj ka kritikuar deklaratat e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s, duke thënë se arsyetimi se Kosova nuk mund të marrë pjesë për shkak se nuk është anëtare e NATO-s apo pjesë e Partneritetit për Paqe nuk qëndron.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj tha se Kosova kishte siguruar prani në aktivitetet e Samitit të NATO-s edhe më herët, pavarësisht statusit të saj të pandryshuar.
Ajo tha se në vitin 2024 presidentja Vjosa Osmani ishte ftuar në aktivitetin hapës të samitit me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, si dhe në aktivitetin përmbyllës me ftesë të presidentit amerikan.
Haradinaj kundërshtoi pretendimet se pjesëmarrja e Osmanit ishte kufizuar vetëm në aktivitetet që lidhen me agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, duke thënë se presidentja kishte marrë pjesë edhe në aktivitetin përmbyllës të samitit si e ftuar e posaçme e presidentit amerikan.
Sipas saj, problemi aktual nuk qëndron te statusi i Kosovës, pasi ai ka qenë i njëjtë edhe në vitin 2024, por te pesha diplomatike dhe aftësia për të ndërtuar mbështetje politike e diplomatike.
“Kur ke liderë që angazhohen në diplomaci aktive dhe japin kontribut për agjenda globale, krijohen përjashtime dhe hapen dyer për Kosovën. Kur nuk ke, justifikimet zëvendësojnë rezultatet”, shkroi Haradinaj.