Mehaj viziton nënën e dëshmorit e cila u rrah nga infermierja në Pejë
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka vizituar nënën e dëshmorit, Taulant Nura, Miniren, e cila ditë më parë është sulmuar fizikisht në Qendrën për të Moshuarit “Orenda” në Pejë.
Kështu ka bërë të ditur vetë Mehaj përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se kujdesi i familjes nuk ka munguar asnjëherë për nënën Minire.
“Nënat e ushtarëve të UÇK-së, nënat tona janë më meritoret për lirinë e vendit. Janë ato që na edukuan, na rritën e gdhendën brenda nesh dashurinë për atdheun dhe kombin tonë. Ne ndjehemi borxhli ndaj shumë kujt, por borxhin më të madh ua kemi atyre. Ne nuk guxojmë t'ia lejojmë vetes e as pasardhëve tanë që t'i harrojmë ato, të harrojmë sakrificën dhe qëndresën e tyre, e aq më pak nuk guxojmë as të mendojmë të mos t'i respektojmë. Kjo nuk na falet, këtë nuk guxojmë ta falim”, ka shkruar ai.
Ministri i Mbrojtjes tutje ka shkruar se nëna Minire, ia fali djalin e saj atdheut i cili ra dëshmor, por fitoi zemrat e gjithë shqiptarëve, gjithashtu djemtë e ushtrisë janë të gjithë si të ishin djemtë e saj, të gjithë do t'i gjendemi pranë sa herë që ka nevojë.