Mehaj: Ëndrra jonë shekullore po jetësohet, kapacitetet e ushtrisë po ngriten në vazhdimësi
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka thënë se thënë se ëndrrën tonë shekullore po e jetësojmë çdo ditë, përmes ushtrisë, kapacitete e së cilës po ngritën në vazhdimësi.
Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shqiponja e flamurit do të thotë historia e kombit, e përbashkëta që përtej kufijve bashkon idealet, rrënjët tona që nuk ndryshohen dhe as shkëputen ndonjëherë.
“Ëndrrën tonë shekullore po e jetësojmë çdo ditë, përmes ushtrisë sonë kapacitetet e të cilës po ngritën në vazhdimësi, përmes vajzave dhe djemve tanë që me fisnikëri, krenari e vullnet të hekurt bartin uniformën, emblema e së cilës do të thotë shumë për ne. Shqiponja e flamurit do të thotë historia e kombit, e përbashkëta që përtej kufijve bashkon idealet, rrënjët tona që nuk ndryshohen dhe as shkëputen ndonjëherë. Shumë rrugë kemi bërë për atë që do mbetet trashëgimi ndër breza, ushtri, komb dhe liri, edhe më shumë se brenda hapësirës tonë territoriale shtetërore, sepse synimet tona janë të bashkëveprojmë në familjen evropiane dhe në NATO, për paqen që duhet mbizotëruar gjithandej globit, për lirinë universale të njerëzimit”, ka shkruar Mehaj.