Mediat në Mal të Zi raportojnë se është arrestuar kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj
Mediat në Mal të zi raportojnë se kryetari i komunës së Tuzit dhe njëherit lideri i Alternativës Shqiptare (ASH), Nik Gjeloshaj, është dërguar në policinë e Podgoricës.
Sipas portalit malazez CDM, policia ka ndaluar automjetin ku ndodheshin fëmijët e tij, dhe pas pak çastesh ka arritur Nik Gjeloshaj, ku pas debatit që ka pasur me policinë është dërguar në mbajtje.
Portalit CDM nga policia malazeze i kanë thënë se është duke u zhvilluar procedura ndaj Gjeloshajt, dhe se pasi të kryhet do të ketë komunikatë zyrtare për rastin.
Ju kujtojmë se Nik Gjeloshaj është kryetari i parë shqiptar i komunës së Tuzit, pasi pas tre dekadash përpjekjesh, komuna në fjalë u bë komunë me kompetenca të plota.
Gjeloshajn, në zgjedhjet e marsit 2019-të, e patën mbeshtetur të gjitha forcat politike shqiptare, këshilltari i Demokratëve të Malit të Zi dhe këshilltarët boshnjakë.