Medalje Presidenciale për Ansamblin “Gjilani”
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani” është nderuar me Medalje Presidenciale nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre shumëvjeçar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ky vlerësim u dedikohet gjeneratave të artistëve, valltarëve, këngëtarëve, instrumentistëve dhe bashkëpunëtorëve që ndër vite kanë qenë pjesë e ansamblit, duke e përfaqësuar kulturën shqiptare në skena vendore dhe ndërkombëtare.
Nga Ansambli “Gjilani” theksohet se ky çmim u takon të gjithë atyre që kanë kontribuar ndër vite, përfshirë edhe familjet mbështetëse dhe dashamirët e artit. Një falënderim i veçantë është shprehur edhe për Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillimin e aktiviteteve kulturore.
Ansambli ka shprehur mirënjohje për besimin dhe përkrahjen, duke theksuar se do të vazhdojë me përkushtim misionin e tij artistik.