“Me këtë Serbi vështirë të ketë marrëveshje, hapat tjerë për Asociacionin pas kthimit të serbëve në institucione”
Tejet mosbesues se mund të ketë zgjidhje për Asociacionin e Komunave të banura me shumicë serbe është shprehur Kryetari i Kuvendit dhe numri dy në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca, duke folur për agjensionin e lajmeve Kosovapress. Me këtë Serbi kështu siç është “brenda kleronacionalizimit të kohës së Millosheviqit”, shprehet Konjufca, vështirë se se mund të ketë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, ndonëse marrëveshja është arritur dhe është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme për palët. Edhe në lidhje me Asociacionin ai lë të kuptohet se situata është në ngërç.
Duke folur për paraqitjen e Draft-Statutit fillestar për Asociacionin nga Ekipi Menaxhues, Konjufca është i bindur se ishte krejtësisht brenda interesave të palës serbe. “Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan”, ka thënë Glauk Konjufca.
“Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë”, u shpreh ai.
“Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, thotë Glauk Konjufca.