‘Me kë u konsultuan?’: Ambasadori suedez kritikon Qeverinë dhe Listën Serbe për situatën në veri
Ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund ka thënë se është zhgënjyese, si dhe e panevojshme, se si ka ardhur situata në veri të vendit.
Ai në një intervistë për KosovaPress ka thënë se Qeveria duhet të ketë dialog me të ngushtë me komunitetin.
Por përveç kësaj, për krejt situatën, ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe Listën Serbe, duke pyetur se me kë u konsultuan për vendimin për targa dhe tërheqjen nga institucionet.
“Mendoj se është shumë e panevojshme, mendoj se është zhgënjyese që kemi ardhur në këtë fazë, dhe këtu ka nevojë për një dialog shumë më të ngushtë ndërmjet komunitetit dhe qeverisë. Me kë u konsultua qeveria kur vendosi të veprojë në këtë mënyre për targa? Me kë u konsultua Lista Serbe kur vendosi të largohej nga konsultimet dhe bashkëpunimi me institucionet e Kosovës? Pra, këtu duhet të ketë një dialog shumë më të fortë. Sigurisht që veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka të drejtë të dërgojë përforcime dhe duhet respektuar sundimi i ligjit në këto zona, por megjithatë, kur merr vendim në një rajon të caktuar, gjithmonë është mirë të dialogosh me komunitetet lokale.” – ka thënë ai.
Ambasadori Ëesterlund ka thënë se situate është mjaft shqetësuese, derisa bëri thirrje për depërshkallëzim të tensioneve.
Mes tjerash, ai paralajmëroi se “një mosmarrëveshje e vogël, mund të shkaktojë pasoja të rënda”.
“Është një situatë mjaft shqetësuese për momentin. Natyrisht, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të de-eskalojnë situatën. Kjo kryesisht po bëhet përmes të dërguarit të BE-së, Lajçak, i cili sapo vizitoi Kosovën së bashku me të dërguarin e SHBA-së, Escobar. Suedia natyrisht i mbështet përpjekjet e tyre, dhe ekziston një situatë shumë e rrezikshme, një mosmarrëveshje e vogël mund të ketë pasoja të rënda, kështu që ju bëjmë thirrje të dyja palëve, Prishtinës dhe komunitetit lokal, që ta de-eskalojnë situatën.” – tha ambasadori suedez.
Vlen të theksohet se tashmë kemi hyrë në ditën e nëntë të barrikadave, që u vendosën pas arrestimit të policit Dejan Pantiq, dhe deri tani, nuk dihet se kur do të largohen ato.