Me 27 nëntor Kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë mbajnë mbledhje të përbashkët
Me datën 27 nëntor Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët.
Në një njoftim të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se në këtë mbledhje, deputetëve do t’u adresohen kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
“Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, të dielën, më 27 nëntor 2022, në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në Tiranë, do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mbledhje, deputetëve do t’u adresohen kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se në këtë mbledhje do të mbajnë fjalimin e Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe më pas edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në shënim të këtij përvjetori, do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore”, përfundon njoftimi i tyre.