Mbi 85% e votuesve jashtë Kosovës pranojnë pakot me fletëvotim - NACIONALE

Mbi 85% e votuesve jashtë Kosovës pranojnë pakot me fletëvotim

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se brenda tri ditëve dërguar pakot me fletëvotime te më shumë se 85% të votuesve të regjistruar për votim përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se mbi 90 mijë votues, nga rreth 105 mijë të regjistruar, tashmë kanë pranuar në adresat e tyre pakot që përmbajnë fletëvotimet dhe materialet e nevojshme për votim.

Sipas Elezit, procesi i votimit jashtë Kosovës ka filluar më 21 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor 2026. Ai ka sqaruar se para nisjes së këtij procesi, KQZ-ja përmes operatorit ekonomik ka shpërndarë rreth 105 mijë pako individuale për votuesit e regjistruar.

Vetëm gjatë periudhës 21–23 maj, janë dorëzuar mbi 90 mijë pako, të cilat përmbajnë fletëvotimin, udhëzuesin për votim, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes.

KQZ ka rikujtuar procedurat që duhet të ndjekin votuesit pas pranimit të pakos:

  • të plotësojnë fletëvotimin;
  • ta vendosin atë në zarfin e fshehtësisë;
  • zarfin e fshehtësisë dhe dëftesën e regjistrimit t’i fusin në zarfin kthyes;
  • të shënojnë adresën e kutisë postare në zarfin kthyes;
  • të vendosin pullën postare, nëse kërkohet në shtetin ku jetojnë, dhe ta dërgojnë zarfin përmes postës.

Po ashtu, KQZ ka apeluar që votuesit të kenë kujdes që zarfi me votë të arrijë në kutinë postare përkatëse jo më vonë se 6 qershor 2026.

Sipas të dhënave të KQZ-së, për votim jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 132,212 votues. Prej tyre, 100,970 janë regjistruar për të dërguar votën në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për ta dërguar në kutinë postare në Kosovë, ndërsa 27,724 kanë zgjedhur të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike.

Në total, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2,092,174 votues, që paraqet 15,884 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Lajme të ngjashme