Mbi 60 emigrantë të vdekur e dhjetëra të zhdukur nga përmbytja e anijes afër Jemenit - NACIONALE

Mbi 60 emigrantë të vdekur e dhjetëra të zhdukur nga përmbytja e anijes afër Jemenit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 60 emigrantë vdiqën, kur një anije që po bartte rreth 150 njerëz u përmbyt afër brigjeve të Jemenit gjatë motit të lig të dielën.

Anija u përmbyt afër provincës jugore Abyan dhe 68 trupa janë gjetur, tha drejtori për Jemenin i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM). Ai shtoi se 12 njerëz janë shpëtuar dhe dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur, raporton televizioni BBC.

Shumica e viktimave besohet se janë shtetas etiopianë, tha IOM-i, organizatë që incidentin e cilësoi “zemërthyes”.

Jemeni mbetet rrugë e rëndësishme për emigrantët nga Briri i Afrikës që udhëtojnë drejt shteteve të Gjirit Persik në kërkim të punës. IOM-i vlerëson se qindra njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur nga përmbytjet e anijeve në muajt e fundit.

Drejtori i IOM-it për Jemenin, Abdusattor Esoev, tha se në barkë ndodheshin rreth 157 emigrantë në një rrugë të rrezikshme që shpesh përdoret nga trafikuesit e njerëzve.

Jemeni është vend transit i popullarizuar për shumë emigrantë të dëshpëruar që nisen drejt Arabisë Saudite në kërkim të mundësive më të mira.

Trupat e 54 emigrantëve u zbuluan në breg të detit në distriktin Kahnfar, ndërsa 14 të tjerë u dërguan në burgun e një spitali në kryeqytetin provincial, Zinjibar, raportoi agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Drejtoria e sigurisë në provincën Abyan lëshoi një deklaratë ku tha se një mision i madh kërkim-shpëtimi ishte duke u zhvilluar dhe se shumë trupa të pajetë ishin gjetur përgjatë një zone të gjerë bregdetare.

Një zëdhënës i IOM-it tha se organizata është “thellësisht e pikëlluar” me “humbjen tragjike të jetëve”. Më parë, IOM-i e ka përshkruar lundrimin nga Briri i Afrikës drejt Jemenit si “njëra nga rrugët më të ngarkuara dhe më të rrezikshme me migrim të përzier”./Nacionale

Lajme të ngjashme