Mbi 300 të vdekur nga vërshimet në Pakistan, priten më shumë reshje
Të paktën 310 persona kanë vdekur nga vërshimet në Pakistan, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar. Qeveria ka lëshuar paralajmërime për reshje të mëtejme në 14 qytete.
Në disa lagje të qytetit Karaçi, ku banojnë rreth 16 milionë njerëz, veturat janë zhytur deri në gju nga uji, ndërsa rrugët janë të pakalueshme. Të paktën 15 persona kanë vdekur në këtë vendbanim nga e shtuna.
Shërbimet publike në qytet janë pezulluar, kurse bizneset janë mbyllur. Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se infrastruktura, rrjetet e rrugëve dhe 5.600 shtëpi janë dëmtuar.
Pakistani, që u ballafaqua me një valë të vapës së madhe më herët këtë vit, radhitet në mesin e vendeve më të ndjeshme në Indeksin Global për Rrezikun nga Klima, ku regjistrohen humbjet njerëzore dhe ekonomike nga moti ekstrem.
Vlerësohet se Pakistani ka humbur 10.000 njerëz e katër miliardë dollarë humbje financiare për shkak të fatkeqësive natyrore në dekadën mes vjetëve 2008 e 2018.