Mbi 24 mijë aplikime për votim nga diaspora brenda pesë ditësh, KQZ-ja miraton mbi 14 mijë - NACIONALE

Mbi 24 mijë aplikime për votim nga diaspora brenda pesë ditësh, KQZ-ja miraton mbi 14 mijë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se gjatë periudhës 26–30 nëntor janë dorëzuar rreth 24,500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës përmes platformës elektronike të institucionit.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri tani janë miratuar mbi 14,600 kërkesa, ndërsa afërsisht 3,500 aplikime janë refuzuar. Rreth 6,400 të tjera janë në fazën e shqyrtimit.

Elezi ka bërë të ditur se pjesa dërrmuese e qytetarëve të aprovuar kanë zgjedhur votimin përmes postës. Mbi 10,500 aplikues janë regjistruar që fletëvotimet t’i dërgojnë në adresat postare jashtë vendit, ndërsa rreth 500 të tjerë kanë seçuar ta dërgojnë pakon me votë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Po ashtu, më shumë se 3,500 shtetas kosovarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike.

“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tha Elezi.

“Kjo do të thotë se KQZ-ja i informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, ka deklaruar Elezi.

Lajme të ngjashme