Mbi 2 mijë raste të dhunës deri në tetor, QPS akuzon institucionet tjera
Deri në tetor të këtij viti sipas Policisë së Kosovës janë raportuar 2 mijë e 273 raste të dhunës në familje.
Për Ekonomia Online, policia ka bërë të ditur se 1 mijë e 897 janë viktima femra dhe 433 meshkuj.
Në anën tjetër, Qendra për Punë Sociale në Prishtinë ka akuzuar institucionet tjera për mosreagim në disa situata.
Drejtori i kësaj qendre Vebi Mujku ka mohuar akuzat për mospunë.
“Jo nuk ka asnjëherë vend në Qendrën për Punë Sociale akuza për mospunë ose mosreagim, për shkak se ne jemi të parët të cilët dolëm në secilin rast. Ne e kemi të rezervuar edhe kemi kontratë me shërbimin e taksit, me të cilët në çdo kohë, neve na çojnë brenda 5 minutave në polici, ne kemi një punëtor kujdestar 24 orë”, u shpreh Mujku.
Ai ka thënë se strehimorja është gjatë tërë kohëe e mbushur.
“Strehimorja ka kushte, për momentin e kemi rinovuar strehimoren vitin e kaluar, i kemi krijuar kushtet jashtëzakonisht të mira, mirëpo ne dëshirojmë që të kemi sa më pak raste në strehimore, po fatkeqësisht strehimorja pothuajse është gjatë tërë kohës me kapacitet të plotë”, theksoi ai.
