Mbi 100 qytetarë në ditë janë larguar nga Shqipëria në 7 vitet e fundit
Sipas të dhënave të INSTAT në 7 vitet e fundit janë larguar nga vendi mesatarisht rreth 37 mijë qytetarë çdo vit, 1.2 për qind e popullsisë, ose rreth 101 qytetarë çdo ditë, dhe shqetësim, sipas ekspertëve, mbetet fakti se rreth 80% e tyre janë të grupmoshës më aktive për punë, 15-44 vjeç, raporton Zëri i Amerikës.
Në Shqipëri ka një shqetësim të vazhdueshëm për largimin e fuqisë punëtore nga vendi. Rreth 1.2% e popullisisë është larguar çdo vit kohët e fundit dhe ekspertët shprehin shqetësim, pasi 80% e tyre janë të moshës më aktive për punë 15-44 vjeç. Ata thonë se qeveria duhet të nxisë politika në sektorë të rëndësishëm si bujqësisa dhe turizimi që po vuajnë krizën e fuqisë punëtore. Autoritetet nënvizojnë se kanë hartuar disa nisma, si ajo për garancinë rinore dhe për të nxitjen e punësimit me qëllim për të frenuar, kryesisht ikjen e rinjve nga vendi.
Më të prekurit sipas ekspertëve janë turizmi, bujqësia dhe shërbimet. Kërkesat për punë janë më të ulëta se ofertat në treg, gjë që konfirmohet edhe nga autoritetet. Në zyrat e punës në 6 muajt e parë të këtij viti ishin të regjistrura 13 mijë kërkesa për punë nga 20 mijë vende të lira, ndërsa u ndërmjetësuan 12 mijë. Ekspertët mendojnë se edhe tri krizat e njëpasnjëshme, tërmeti, pandemia e Covid-19, dhe agresioni rus në Ukranië, kanë pasur ndikimin e tyre.
Numri i papunësisë në vend sipas INSTAT, është 11. 5%, me një rënie me 2.2% krahasuar me 5 vite më parë.
