Mashtrim kibernetik: Klikoi në linkun për “përditësim të dhënash” - iu vodhën mijëra euro
Një rast i mashtrimit bankar është raportuar mbrëmë në Policinë e Kosovës, ku një qytetare nga Prishtina ka rënë pre e një skeme kibernetike, duke pësuar humbje të konsiderueshme financiare.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, viktima ka deklaruar se gjithçka nisi pas pranimit të një mesazhi në telefonin e saj. Në tekstin e mesazhit kërkohej në mënyrë urgjente përditësimi i të dhënave bankare, me paralajmërimin se në rast të kundërt, llogaritë e saj do të bllokoheshin.
Në mirëbesim, ankuesja ka klikuar në vegëzën (linkun) e dërguar dhe ka plotësuar fushat me informacionet e kërkuara personale dhe bankare. Vetëm pak minuta pas këtij veprimi, ajo është njoftuar për transaksione të paautorizuara.
Dëmi është i dyfishtë: përveç tërheqjes së parave nga kartela e saj personale, mashtruesit kanë arritur të qasen edhe në llogarinë e biznesit të saj, duke tërhequr mijëra euro.
“Në konsultim me prokurorin, rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetime”, kanë bërë të ditur autoritetet.