Martirët e Pastaselës dhe Burimit, Haradinaj i kutjon: Kosova nuk do t’i harrojë kurrë ata që i flijuan për të
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nderuar kujtimin e martirëve të rënë në Pastaselë të Rahovecit dhe Burimit të Malishevës.
Postimi i Haradinajt:
Aparati shtetëror serb, duke parë fundin e tij, në pranverën e vitit 1999 aktivizoi tërë makinerinë e tij vrastare kundër popullit shqiptar. Në Pastasel të Rahovecit, sot nderuam kujtimin për 106 martirët e ekzekutuar nga ky fshat dhe fshatrat përreth, të cilët ishin strehuar në këtë trevë për t’i shpëtuar barbarisë së armikut.
Të njëjtin fat, e patën edhe 42 shqiptarë të pafajshëm nga fshati Burim i Malishevës. Plumbat e armikut nuk kursyen as të moshuarit, as gratë e fëmijët, duke lënë pas dhimbje të pashlyeshme për familjet dhe mbarë kombin.
Por gjaku i tyre nuk u derdh kot. Nga kjo sakrificë u forcua më tej vendosmëria jonë për liri dhe shtetndërtim. Ndaj sot, përkulur para varreve të tyre, jo vetëm që kujtojmë dhimbjen, por ritheksojmë zotimin se amaneti i tyre do të mbetet i shenjtë, e se Kosova kurrë nuk do të harrojë ata që u flijuan për të.