Marrëveshja VV – LDK, Cakolli: Kurti e ka luksin të pres, Abdixhiku jo
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar takimin e mbrëmshme Kurti – Abdixhiku.
Ai ka vlerësuar se pritjet për arritjen e një marrëveshjeje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) vetëm dy ditë para seancës konstituive kanë qenë jorealiste.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se këto dy parti kështu ishin sjell edhe në negociatat e vitit 2019.
“Një marrëveshje e tillë “në kohë” - para seancës konstituive - nuk u pat arritur as pas zgjedhjeve të vitit 2019. Atëherë, të dyja partitë kishin shumë më tepër nevojë për njëra-tjetrën, bashkimi i tyre shihej gjerësisht si “koalicioni i shpresës”, ndërsa në zgjedhje i ndanin më pak se 2%. E lëre më tash, kur LVV-ja i ka gati trefishin e votave dhe të mandateve të LDK-së. Tash për tash, Kurti dhe LVV-ja e kanë luksin të presin, e madje edhe të mos arrijnë fare marrëveshje, pa u penalizuar edhe aq shumë elektoralisht. LDK-ja dhe sidomos Abdixhiku nuk e kanë të njëjtin luks, meqë për ta kjo s’është thjesht çështje e formimit të institucioneve, por edhe e fatit politik”, ka shkruar ai.