Maqedonia e Veriut do t’i dhurojë tanke Ukrainës
Maqedonia e Veriut po planifikon që t’ia japë Ukrainës një numër të pasaktësuar të tankeve të periudhës sovjetike përderisa synon që ta modernizojë ushtrinë e vet për t’i plotësuar standardet e NATO-s, tha të premten Ministria e Mbrojtjes.
Në një deklaratë, kjo ministri tha se Ukraina do t’i pranojë tanket që i përkasin batalionit ta tankeve, që është në proces të modernizimit.
“Duke i marrë parasysh situatën dhe kërkesat e Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, qeveria ka vendosur që një sasi e caktuar e këtyre kapaciteteve t’i dhurohet Ukrainës, në linjë me nevojat e saj”, thuhet në deklaratë.
Maqedonia e Veriut, ish-republikë jugosllave, është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE. Njësoj si vendet e tjera evropiane, shteti ballkanik tashmë i ka dhuruar Ukrainës pajisje ushtarake.